Herniet abdominale janë një problem i zakonshëm që prek shumë njerëz në të gjitha moshat. Ndërsa disa hernie janë të padëmshme dhe asimptomatike, të tjera mund të shkaktojnë dhimbje, shqetësim dhe komplikacione serioze nëse nuk trajtohen në kohë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë llojet kryesore të hernieve, shenjat që duhet të njihni, mënyrat e diagnostikimit dhe opsionet e trajtimit kirurgjikal.

Çfarë është hernia abdominale?
Hernia abdominale shfaqet kur një pjesë e organit ose indit të brendshëm del jashtë përmes një dobësie ose çarje në muskujt e murit abdominal. Në disa raste hernia mund të shkaktojë dhimbje apo parehati.
Herniet mund të jenë kongjenitale ose të fituara gjatë jetës dhe janë një problem shumë i zakonshëm që kërkon vëmendje mjekësore.
Shkaqet kryesore të hernies abdominale
Dobësimi i murit abdominal dhe presioni i në atë zonë janë faktorët kryesorë. Më poshtë janë disa prej shkaktarëve më të zakonshëm të hernies abdominale:
- Mbipesha që shton ngarkesën në zonën e barkut.
- Ngritja e peshave të rënda pa teknikën e duhur.
- Kollitje apo kapsllëk kronik.
- Operacione të mëparshme në bark që kanë dobësuar muskujt.
- Plakja dhe humbja e elasticitetit të indeve.
Llojet më të zakonshme të hernieve abdominale
| Lloji i Hernies | Përshkrimi | Vendndodhja Tipike |
| Hernia Inguinale | Dalja e indit përmes një dobësie në murin e barkut, në zonën e ijëve. | Zona inguinale (ijët) |
| Hernia Femorale | Dalja e indit përmes kanaleve femorale, më e zakonshme tek femrat. | Zona e sipërme e kofshës, pranë ijëve |
| Hernia Umbilikale | Dalja e indit pranë kërthizës, shpesh tek fëmijët dhe femrat shtatzëna. | Kërthiza |
| Hernia Incisional | Dalja e indit përmes plagës kirurgjikale të mëparshme në murin e barkut. | Vend i prerjes kirurgjikale në bark |
| Hernia Spigeliale | Dalja e indit përmes një defekti në muskujt e murit lateral të barkut. | Anësore e murit të barkut |
Shenjat dhe simptomat e hernies abdominale
Simptoma më e dukshme është dalja e indit që shkakton një zonë mishi të fryrë në bark ose ijë, që mund të zmadhohet gjatë kryerjes së aktiviteteve fizike ose kollitjes. Shpesh personat me hernie abdominale përjetojnë:
- Dhimbje ose ndjesi rëndese në zonën e prekur.
- Djegie apo ndjesi tërheqjeje.
- Në raste të rënda, dhimbje të forta, të vjella dhe ënjtje të madhe kur hernia bllokohet. Kjo është një emergjencë shëndetësore dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Si bëhet diagnoza?
Mjeku bën ekzaminimin fizik duke kërkuar hernien dhe duke vlerësuar nëse ajo zbutet kur pacienti pushon. Në disa raste kërkohen edhe ekzaminime si eko ose skaner CT për të përcaktuar më mirë madhësinë dhe përmasat e hernies.
Trajtimi kirurgjikal i hernies abdominale
Kirurgjia është trajtimi kryesor dhe përfshin dy metoda:
- Kirurgjia tradicionale: Kërkon prerje më të madha dhe riparim të murit abdominal me ose pa rrjetë.
- Kirurgjia laparoskopike: Operacion me prerje të vogla falë përdorimit të pajisjeve modernee, që garanton rikuperim më të shpejtë dhe më pak dhimbje për pacientin.
Gjatë operacionit, pjesa e hernies kthehet në pozicionin normal dhe muret abdominale riparohen.
Komplikacionet e mundshme të hernies abdominale
Nëse nuk trajtohet, hernia mund të përkeqësohet dhe të sjellë komplikacione serioze, si:
- Inkarcerimi: Kur pjesa e organit ngec në murin abdominal dhe nuk mund të rikthehet më në vend.
- Strangulimi: Kur furnizimi me gjak i pjesës së bllokuar ndërpritet, duke shkaktuar nekrozë të indeve. Kjo gjendje është emergjencë mjekësore dhe kërkon ndërhyrje urgjente.
- Infeksione dhe inflamacion lokal.

Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Sigurohuni që të konsultoheni me mjekun specialist nëse shikoni që hernia abdominale:
- Nuk zhduket kur pushoni.
- Shoqërohet me dhimbje të forta.
- Shkakton të vjella, ethe ose ënjtje të madhe rreth zonës.
- Sjell ndjesi djegieje ose tërheqjeje që duket se po përkeqësohen.
Këto janë sinjale që duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Kujdesi pas kirurgjisë për hernien abdominale
Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për hernie abdominale, pacientët duhet të jenë të përgatitur për një periudhë rikuperimi që zgjat disa javë. Ënjtja dhe një ndjesi e lehtë dhimbjeje janë normale gjatë ditëve të para pas operacionit, por duhet të përmirësohen gradualisht.
Është thelbësore të shmangni çdo aktivitet fizik të rëndë, ngritje peshe ose përkulje të tepërt, pasi këto mund të dëmtojnë zonën e ndërhyrjes dhe të rrisin rrezikun për rikthim të hernies.
Mjeku do t’ju japë udhëzime specifike për kujdesin e plagës, si dhe informacione për ushqimin dhe aktivitetet që duhet të shmangni. Nëse është përdorur rrjetë, mund të ndjeni një ndjesi ngurtësie në zonën e operuar për disa kohë. Kjo është normale dhe gradualisht largohet.
Gjithashtu është e rëndësishme të ndiqni terapinë e rekomanduar me medikamente për qetësimin e dhimbjeve dhe parandalimin e infeksioneve.
Nëse vëreni ndonjë shenjë infeksioni si skuqje, nxehtësi lokale, rrjedhje nga plaga apo temperaturë të lartë, duhet të kontaktoni menjëherë mjekun.
Gradualisht mund t’i riktheheni aktiviteteve të përditshme. Zakonisht pacientët mund të kthehen në punë pas 1–2 javësh, në varësi të rastit.
Parandalimi i hernieve abdominale
Edhe pse jo të gjitha rastet e hernieve mund të parandalohen, ka disa masa të rëndësishme që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut. Mbajtja e një peshe trupore të shëndetshme ndihmon në reduktimin e presionit të brendshëm në bark, i cili është një nga faktorët kryesorë në zhvillimin e hernieve.
Gjithashtu, ushtrimet që forcojnë muskujt abdominalë duhet të bëhen me kujdes dhe me teknikë të saktë, veçanërisht gjatë ngritjes së objekteve të rënda.
Po ashtu, është e rëndësishme të trajtohen në kohë probleme të tilla si kollitja apo kapsllëku kronik, të cilat ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi barkun dhe kontribuojnë në krijimin e hernieve. Parandalimi është gjithmonë më i mirë se trajtimi!
Ndikimi i hernies në cilësinë e jetës
Herniet mund të shkaktojnë jo vetëm dhimbje fizike, por edhe shqetësime psikologjike për shkak të pamjes dhe kufizimeve në aktivitetet e përditshme. Trajtimi kirurgjikal ndihmon në rikthimin e funksionit normal abdominal dhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të pacientit!
Keni probleme me hernien abdominale? Na kontaktoni sot dhe rezervoni një konsultë të specializuar me mjekët tanë!

Pyetjet më të shpeshta për Herniet Abdominale
Cilat janë shenjat më të zakonshme të hernies abdominale?
Ënjtja apo fryrja e një zone në bark ose ijë, dhimbje të lehta ose rëndesë në zonën e prekur, veçanërisht gjatë kollitjes, ngritjes së peshave ose aktivitetit fizik.
A mund të largohet hernia pa operacion?
Jo. Hernia nuk shërohet vetë dhe trajtimi përfundimtar është ndërhyrja kirurgjikale si metoda e vetme dhe e duhur për të riparuar dobësinë e murit abdominal.
Çfarë rreziqesh ka nëse nuk trajtohet hernia abdominale?
Mund të zhvillohen komplikacione serioze si inkarcerimi (bllokimi i pjesës së hernies) dhe strangulimi (prerja e furnizimit me gjak), që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Si bëhet diagnoza e hernies abdominale?
Mjeku kryen ekzaminim fizik dhe në raste të nevojshme kërkon eko, CT ose MRI për vlerësim më të detajuar.
Sa kohë zgjat rikuperimi pas operacionit?
Zakonisht rikuperimi zgjat disa javë, gjatë të cilave duhet shmangur aktiviteti fizik i rëndë dhe ngritja e peshave.
A mund të përsëritet hernia pas operacionit?
Po, por me teknikat moderne dhe kujdesin e duhur kjo është shumë e rrallë.