Infeksionet vaginale janë një nga problemet më të zakonshme shëndetësore që prekin shumë femra në të gjitha moshat. Megjithëse shpesh trajtohen si një shqetësim i vogël, ato mund të ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien tuaj fizike dhe emocionale. Në këtë blog do të flasim mbi shkaqet, simptomat dhe mënyrat e trajtimit të infeksioneve vaginale.

Çfarë janë infeksionet vaginale?
Vagina është një zonë mjaft e ndjeshme e cila ka një ekuilibër natyral nga mikroorganizmat e ndryshëm që jetojnë në të. Këta mikroorganizma përbëhen kryesisht nga bakteret e mira, të tilla si Lactobacillus, të cilat mbajnë një ambient acidic që ndihmon në parandalimin e rritjes së baktereve apo kërpudhave të dëmshme.
Infeksionet vaginale shfaqen kur ky ekuilibër natyral prishet dhe mikroorganizmat që janë normalisht në numër të vogël rriten në mënyrë të pakontrolluar, duke shkaktuar inflamacion dhe simptoma të tjera.
Llojet më të zakonshme të infeksioneve vaginale

1. Vaginoza bakteriale
Vaginoza bakteriale është një nga infeksionet më të shpeshta vaginale i cili shfaqet kur balanca natyrale e baktereve në vaginë prishet. Specifikisht, bakteret e dobishme Lactobacillus zëvendësohen nga bakteret e dëmshme si Gardnerella vaginalis etj. Kjo sjell një ndryshim të pH-së vaginale dhe shkakton inflamacion.
Simptomat tipike përfshijnë sekrecioneme ngjyrë gri ose të bardhë, të holla dhe me një erë karakteristike, shpesh e përshkruar si “erë peshku”. Edhe pse shpesh vaginoza bakteriale nuk shkakton kruarje të fortë, disa femra mund të përjetojnë irritim të lehtë dhe ndjesi djegieje.
Vaginoza bakteriale nuk konsiderohet sëmundje seksualisht e transmetueshme, por aktiviteti seksual mund të ndikojë në ekuilibrin e mikroflorës. Për këtë arsye, trajtimi duhet të kryhet i plotë për të shmangur rikthimin e infeksionit.
2. Kandidoza vaginale (infeksioni kërpudhor)
Kandidoza vaginale shkaktohet nga rritja e tepërt e kërpudhave Candida albicans, që ndodhin zakonisht si pjesë e mikroflorës natyrale të trupit. Kur ekuilibri i baktereve të mirë prishet, Candida mund të shumohen shumë dhe të shkaktojnë infeksion.
Ky infeksion manifestohet me kruarje të fortë, skuqje dhe ënjtje të zonës vaginale dhe të labias. Sekrecionet janë të trasha, të bardha dhe ngjajnë me teksturën e kosit, duke e bërë këtë problem të dallueshëm nga infeksionet e tjera.
Përveç kruarjes, femrat shpesh ankohen për dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale dhe ndjesinë e djegies gjatë urinimit. Kandidoza është e zakonshme sidomos pas përdorimit të antibiotikëve, gjatë shtatzënisë, ose tek personat me diabet.

3. Trikomoniaza
Trikomoniaza është një infeksion seksualisht i transmetueshëm që shkaktohet nga paraziti Trichomonas vaginalis. Ky infeksion prek zonën vaginale dhe traktin urinar dhe është shumë i përhapur, sidomos tek femrat aktive seksualisht.
Simptomat më të shpeshta përfshijnë sekrecione me ngjyrë të verdha-jeshile, me erë të fortë dhe të pakëndshme. Gjithashtu, femrat ndjejnë kruarje, djegie dhe skuqje në zonën intime, si dhe dhimbje gjatë urinimit ose marrëdhënieve seksuale.
Për shkak se është një infeksion i transmetueshëm seksualisht, është e rëndësishme që të trajtohet jo vetëm pacientja, por edhe partneri, për të shmangur përsëritjen e infeksionit.
Si të kuptoni çfarë lloj infeksioni vaginal keni?
Infeksionet vaginale janë të zakonshme dhe kanë simptoma të ngjashme, por origjina e tyre mund të jetë shumë e ndryshme: bakteriale, kërpudhore ose parazitare. Më poshtë po ju paraqesim një krahasim të thjeshtë midis tre llojeve më të zakonshme të infeksioneve.
| Karakteristika | Vaginoza bakteriale | Kandidoza vaginale | Trikomoniaza |
| Shkaktari | Baktere të dëmshme (p.sh. Gardnerella vaginalis) | Kërpudha Candida albicans | Parazit Trichomonas vaginalis |
| Ngjyra e sekrecioneve | E bardhë ose gri, e hollë | E bardhë, e trashë si kos | E verdhë-jeshile, e shkumëzuar |
| Era | Erë e fortë si “peshk” | Zakonisht pa erë | Erë shumë e pakëndshme |
| Kruarje/Irritim | E lehtë ose mungon | Kruarje intensive dhe skuqje | E pranishme dhe shpesh e fortë |
| Dhimbje gjatë urinimit | Rrallë | Mund të ndodhë | Po |
| Ndjesi djegieje | Ndonjëherë | Po | Po |
| Dhimbje gjatë marrëdhënieve | Rrallë | Po | Po |
| Transmetohet seksualisht | Jo direkt, por ndikohet nga aktiviteti seksual | Jo | Po, është IST |
| Trajtimi tipik | Antibiotikë (metronidazol ose klindamicinë) | Antifungale (lokale ose me gojë) | Antiparazitare (zakonisht metronidazol) |
Si të veproni nëse dyshoni se keni një infeksion vaginal?
- Mos u merrni medikamente pa recetë. Trajtimi i duhur mund të zgjidhet vetëm pas kryerjes së konsultës dhe analizave përkatëse.
- Bëni një vizitë te gjinekologu, i cili mund të kërkojë një ekzaminim të sekretit vaginal.
- Trajtimi ndryshon sipas shkaktarit: antibiotikë për infeksione bakteriale/parazitare dhe antifungale për kërpudhat.
- Përdorni mbrojtje gjatë marrëdhënieve seksuale dhe shmangni përdorimin e sapunëve agresivë në zonën intime.
Faktorët që rrisin rrezikun për infeksione vaginale
Njohja e faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e infeksioneve vaginale ndihmon shumë në parandalimin e tyre.
Një nga faktorët kryesorë është përdorimi i antibiotikëve për periudha të gjata, të cilët, megjithëse shërojnë sëmundje të tjera, prishin balancën e baktereve të mira dhe lejojnë që kërpudhat ose bakteret e dëmshme të shumohen.
Po ashtu, përdorimi i produkteve të pasura me kimikate, si sapunët e fortë, deordorantët apo larësit për zonën intime mund të irritojnë mukozën vaginale dhe të prishin mikroflorën natyrale. Prandaj, është mirë të zgjidhen produkte pa fragrancë dhe jo irrituese.
Marrëdhëniet seksuale me partnerë të ndryshëm, apo mungesa e përdorimit të mbrojtjes, rrisin gjithashtu rrezikun për infeksione, për shkak të ekspozimit ndaj mikroorganizmave të ndryshëm.
Ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë shtatzënisë, menopauzës ose përdorimit të kontraceptivëve hormonalë ndikojnë në pH-në vaginale dhe mund të favorizojnë zhvillimin e infeksioneve.
Gjithashtu, sëmundjet kronike si diabeti dobësojnë sistemin imunitar dhe ndikojnë në aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet. Stresi dhe lodhja e tepërt ndikojnë gjithashtu në sistemin imunitar, duke e bërë organizmin më të prekshëm ndaj infeksioneve.

Trajtimi i infeksioneve vaginale
Zgjedhja e trajtimit të duhur është thelbësore për shërimin e plotë dhe parandalimin e rikthimit të infeksionit. Në rastin e kandidozës, medikamentet antifungale janë standardi i trajtimit dhe mund të merren në formë kremi vaginal, supozitorësh ose tablete orale.
Është shumë e rëndësishme që pacientet të përdorin medikamentet sipas udhëzimeve të mjekut dhe të mos ndërpresin trajtimin nëse simptomat largohen më herët.
Për vaginozën bakteriale, përdoren antibiotikë që trajtojnë bakteret e dëmshme. Këto medikamente mund të jenë në formë orale ose lokale. Mjeku zakonisht do të rekomandojë trajtimin më të përshtatshëm duke bazuar në analizat laboratorike.
Infeksionet nga parazitët, si trikomoniaza, trajtohen me ilaçe antiparazitare si metronidazoli. Në këtë rast është shumë e rëndësishme që të trajtohet edhe partneri seksual, për të parandaluar përsëritjen e infeksionit.
Nëse infeksioni është viral, si në rastin e herpesit genital, trajtimi përqendrohet në kontrollin e simptomave dhe përdorimin e medikamenteve antivirale. Këto raste kërkojnë kujdes të specializuar.
Parandalimi i infeksioneve vaginale
Parandalimi është gjithmonë më i mirë se trajtimi, prandaj kujdesi i përditshëm për higjienën intime është thelbësor për të shmangur infeksionet vaginale.
Një nga mënyrat më të thjeshta për ta bërë këtë është përdorimi i ujit të ngrohtë dhe sapunëve të butë, jo irritues. Produktet me aroma apo kimikate të forta mund të irritojnë mukozën delikate të vaginës dhe të prishin ekuilibrin natyral të mikroorganizmave.
Gjithashtu, veshja e rrobave të pambukut dhe shmangia e rrobave shumë të ngushta ndihmon në ajrosjen e zonës intime. Ajrosja është e rëndësishme sepse lagështira dhe ngushtësia krijojnë një ambient të favorshëm për zhvillimin e baktereve dhe kërpudhave.
Pas aktiviteteve si noti, është e këshillueshme që të ndryshoni menjëherë rrobat e lagura për të parandaluar rritjen e mikroorganizmave në zonën intime.
Gjithashtu, përdorimi i metodave mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale është shumë i rëndësishëm për të shmangur infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Një dietë e pasur me vitamina dhe konsumi i mjaftueshëm i ujit ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar, duke i bërë trupit më të aftë për t’u mbrojtur nga infeksionet.
Në rast se përdorni antibiotikë, diskutoni me mjekun për mundësinë e përdorimit të probiotikëve që mbrojnë mikroflorën natyrale të vaginës.

Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Është shumë e rëndësishme të njihni momentet kur simptomat nuk janë më vetëm shqetësim i vogël, por sinjalizojnë një problem më serioz. Nëse simptomat tuaja nuk përmirësohen pas disa ditësh trajtimi apo përkeqësohen, duhet të kontaktoni menjëherë mjekun.
Nëse keni dhimbje të forta, gjakderdhje të pazakontë apo ethe, kjo mund të jetë shenjë e një infeksioni më serioz që kërkon vlerësim urgjent.
Gjithashtu, nëse jeni shtatzënë dhe keni simptoma të një infeksioni vaginal, kërkoni ndihmë mjekësore pa vonesë, sepse infeksionet mund të ndikojnë në zhvillimin e fetusit.
Mos i neglizhoni asnjëherë shqetësime e tilla, pasi trajtimi i hershëm parandalon komplikacionet dhe përsëritjen e infeksioneve!
Përfundim
Infeksionet vaginale janë probleme të shpeshta dhe të zakonshme, por me njohuritë dhe trajtimin e duhur dhe kujdes të vazhdueshëm, ato mund të shmangen dhe menaxhohen me sukses.
Mos hezitoni të rezervoni një vizitë gjinekologjike sa herë që keni dyshime ose shqetësime, sepse diagnostikimi i saktë është çelësi për një trajtim efikas.
Pyetje të Shpeshta për Infeksionet Vaginale
Çfarë është një infeksion vaginal?
Një infeksion vaginal ndodh kur prishet balanca e mikroflorës natyrale të vaginës, duke lejuar rritjen e baktereve, kërpudhave ose parazitëve që shkaktojnë simptoma si kruarje, djegie, sekrecione ose erë të pakëndshme.
Cilat janë llojet më të zakonshme të infeksioneve vaginale?
Tre format më të zakonshme janë: kandidiaza (infeksion nga kërpudhat), vaginoza bakteriale dhe trikomoniaza (një infeksion seksualisht i transmetueshëm). Secila ka shkaktarë dhe trajtime të ndryshme.
A transmetohen të gjitha infeksionet vaginale seksualisht?
Jo. Vetëm disa infeksione si trikomoniaza janë seksualisht të transmetueshme. Të tjerat, si kandidiaza ose vaginoza bakteriale, mund të ndodhin edhe pa kontakte seksuale.
Si mund të kuptoj nëse kam një infeksion vaginal?
Simptomat më të zakonshme përfshijnë: kruarje, djegie, sekrecione të pazakonta (me ngjyrë të bardhë, të verdhë apo jeshile), erë e rëndë vaginale dhe ndonjëherë dhimbje gjatë urinimit ose marrëdhënieve seksuale.
A mund të trajtohen infeksionet vaginale pa receta?
Gjithmonë më mirë të konsultoheni me një mjek për të siguruar diagnozën dhe trajtimin e duhur, pasi simptomat mund të ngatërrohen me njëra-tjetrën.
A ndikojnë antibiotikët në zhvillimin e infeksioneve vaginale?
Po. Përdorimi i shpeshtë ose i zgjatur i antibiotikëve mund të dëmtojë bakteret e mira që mbrojnë vaginën, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e infeksioneve si kandidiaza.
A ndikon dieta në shëndetin vaginal?
Po. Një dietë e pasur me probiotikë (si kos natyral) dhe e varfër në sheqerna mund të ndihmojë në ruajtjen e një mikroflore të shëndetshme vaginale dhe parandalimin e infeksioneve.